Fokusi kryesor i këtij drejtimi është t’u mundësojë nxënësve zhvillimin dhe zbatimin e aftësive të komunikimit në përdorimin funksional dhe efektiv të gjuhës, pasurimin e fjalorit, avancimin e aftësive njohëse, kritike dhe kreative, të cilat duhet të vihen në shërbim të përvetësimit të njohurive të shkencave të natyrës.
Këto aftësi do të aplikohen për të kuptuar fenomenet natyrore dhe proceset jetësore përmes koncepteve në lëndët biologji, kimi, fizikë, gjeografi dhe astronomi, të cilat mësohen si lëndë të veçanta gjatë nivelit të tretë të arsimimit.
Nxënësit duhet të mësojnë, të zhvillojnë dhe të përvetësojnë njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat lidhur me metodat, proceset dhe përdorimin e shkencës, jo vetëm gjatë ngritjes së tyre profesionale, por edhe në jetën e përditshme. Ata duhet të inkurajohen që t’i analizojnë shkaktarët e fenomeneve të ndryshme dhe të kuptojnë se si shkenca mund të përdoret për të shpjeguar se çka ndodh rreth tyre.
Kurrikula në shkencat e natyrës ndihmon në zhvillimin e kompetencave që u ndihmojnë nxënësve në aspektin social, shëndetësor e ekonomik, të cilat lidhen me çështje të ndryshme të nivelit kombëtar dhe global.