Tekniku i Farmacisë është pjesë e ekipit të farmacistëve që ndihmon farmacistin gjatë procedurës terapeutike në sektorin e farmacisë. Përgatit vendin e punës, materialet, instrumentet dhe pajisjet për procedurat terapeutike. Mbart shënime dhe regjistron të dhënat mjekësore në pajtim me rregullat ligjore.
Është një profesion i saktë, i qetë dhe me përgjegjësi të lartë, sepse lidhet drejtpërdrejt me barnat që merr pacienti. Roli i teknikut zë vend para, gjatë dhe pas procesit të prodhimit, duke ndihmuar në aspektin teknik udhëheqësit e sektorëve përkatës.
Përgatitja profesionale e teknikut të farmacisë në prodhim është me përgjegjësi dhe mjaft specifike, duke pasur parasysh avancimin e vazhdueshëm të teknologjisë farmaceutike.
Gjatë kryerjes së punëve dhe detyrave përdor teknologjinë moderne të informacionit dhe komunikimit. Komunikon me përdoruesin (pacientin) e shërbimeve farmaceutike-mjekësore, duke respektuar dinjitetin njerëzor, diversitetin kulturor, fetar, moshën, gjendjen sociale dhe ekonomike.
Merr pjesë në edukimin e përdoruesve (pacientëve) për bazat e higjienës dhe parandalimin e sëmundjeve infektive.